Shahu Kosovar

Go to content

Main menu

Rregullore

Rregullore e Federates së Kosoves

RREGULLORE DISIPLINORE E FSHeK-

Në bazë të Nenit 21 dhe 26 të Statutit të FSHeK, Kryesia e FSHeK në mbledhjen e mbajtur më  21/02/2007 shqyrtoi dhe miratoi këtë:


                             RREGULLORE DISIPLINORE TË FSHeK-


-  DISPOZITA THEMELORE:


Neni 1


Me këtë rregullore mbrohet amatorizmi në sportin e Shahut, rregullat e organizatës së Shahut dhe mbarëvajtja e garave në shah, sistemi i garave, rregullsia e regjistrimit të lojtarëve dhe organizatave të shahut, obligimet e klubeve dhe individëve ndaj  reprezentacionit, obligimet e lojtarëve, punëtorëve sportivë, gjyqtarëve, marrëdhëniet në mes tyre dhe prestigji i tyre.


Neni 2


Rregullorja disiplinore e FSHeK përcakton procedurën dhe masat ndaj të gjithë atyre që cenojnë rregullat e lojës së shahut, që shkelin Statutin dhe rregulloret e tjera përkatëse të FSHeK, si dhe atyre që cenojnë prestigjin e shahut në mënyra të ndryshme, duke nënkuptuar edhe prezantimin në vend dhe jashtë tij.


Neni 3


Qëllimi i ndëshkimit është edukimi i anëtarëve të organizatave të shahut (lojtarëve dhe personave të tjerë përgjegjës), në frymën sportive, në forcimin dhe zhvillimin e përgjegjësisë dhe disiplinës së tyre, në zbatimin e drejtë të rregullave të përcaktuara me Aktet Normative të FSHeK, si dhe në ndikimin për sjellje sportive të simpatizuesve të tyre.


Neni 4


Askush nuk mund të dënohet për veprimtarinë ose lëshimin e tij, para se të jetë kryer, e i cili me norma nuk është cilësuar si delikt disiplinor e as që është paraparë mënyra e ndëshkimit për kryerjen e deliktit disiplinor.


Neni 5


Shkeljet disiplinore mund të parashihen me Statutin e FSHeK, statutet e organizatave të bashkuara të shahut të Kosovës, statutin e klubeve ,rregulloret e FSHeK dhe rregulloret  e garave.


Neni 6


Kundërvajtjet disiplinore mund të kryhen me qëllim apo si pasojë e lëshimit.

Kundërvajtja disiplinore është kryer me lëshim, në qoftë se kundërvajtja nuk e ka arritur veprimin të cilin është dashur ta kryejë. Kundërvajtja disiplinore nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni, ndëshkohet sipas dispozitave të kësaj rregulloreje.




Neni 7


Mosnjohja e dispozitave në të cilat është paraparë përgjegjësia disiplinore nuk e arsyeton dhe nuk e liron askënd.


Neni 8


Organi kompetent që e udhëheq procedurën disiplinore, mund të shqiptojë ndëshkimet më të buta për ata të cilët nuk kanë ditur se një veprim i tillë është i ndaluar.


Neni 9


Kundërvajtja disiplinore në tentim do të ndëshkohet sikur të ishte kryer vetë kundërvajtja disiplinore e paraparë në akte gjegjëse. Për tentim të kundërvajtjes disiplinore nga ai që nuk është shkaktuar pasoja e dëmshme, mund të shqiptohet dënimi më i butë se sa te kundërvajtja e kryer.


Neni 10


Në qoftë se kundërvajtja disiplinore është shkaktuar me veprimin e më shumë pjesëmarrësve, të gjithë ata do të ndëshkohen si bashkëveprues (bashkëpjesëmarrës). Kush e nxit tjetri apo e ndihmon të shkaktojë kundërvajtjen disiplinore, do të dënohet sikurse ta kishte kryer vetë kundërvajtjen.


Neni 11


Dispozitat themelore të kësaj rregulloreje do të zbatohen ndaj:

-   të gjitha organizatave të shahut të bashkuara në FSHeK,

-   të gjithë anëtarëve të organizatave të shahut dhe

-           klubeve të shahut.

Pjesa e veçantë dhe vlerësimi i dispozitave të kësaj rregulloreje do të zbatohet ndaj klubeve të cilat garat i zhvillojnë në rangun shtetëror , komunal dhe ndër komunal, ndaj klubeve në garat përfundimtare të Kupës së Kosovës, ndaj punëtorëve sportiv të shahut, të cilët janë anëtarë të organeve dhe trupave të tjerë të Kryesisë dhe Kuvendit të FSHeK, ndaj anëtarëve të organeve që udhëheqin garat, si dhe ndaj gjyqtarëve që bëjnë kundërvajtje gjatë garave të lojës së shahut.


Neni 12


Në qoftë se janë kryer më shumë kundërvajtje disiplinore, atëherë do të përcaktohet lartësia e dënimit për secilën kundërvajtje veç e veç,


Neni 13


Dënimi i plotfuqishëm apo masa e ndërmarrë, sipas dispozitave të kësaj rregulloreje, duhet të ketë efekt veprues në veprimtarinë e anëtarëve të organizatave të shahut. Personi i dënuar apo i suspenduar me ndalesë të ushtrimit të të gjitha funksioneve në organizatat e shahut, nuk mund të ushtrojë kurrfarë funksioni në asnjë organ të klubit,  Federatës dhe as ta përfaqësojë klubin apo organizatën në gara në vend dhe jashtë tij gjatë kohëzgjatjes së dënimit.


Neni 14


Me rastin e matjes së dënimit për kryerësin e kundërvajtjes disiplinore, do të merren parasysh të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në lartësinë e dënimit,

rrethanat lehtësuese dhe rënduese e posaçërisht:

-   pesha e kundërvajtjes disiplinore dhe pasojat e saj,

-   shkalla e përgjegjësisë së kryerësit të kundërvajtjes disiplinore,

-   vetitë morale të kryerësit të kundërvajtjes,

-   sjelljet e  mëparshme të kryerësit, përkatësisht a është dënuar ai më parë për    

           shkelje të njëjta apo të ngjashme të rregullave disiplinore në lëmin e shahut dhe

-   sjelljet dhe qëndrimi i të dënuarit para dhe pas shqiptimit të kundërvajtjes.

Varësisht nga rrethanat e verifikuara bëhet edhe shqiptimi i dënimit.


Neni 15


Kundërvajtjet disiplinore të kryera në përsëritje, ndëshkohen më ashpër.


Neni 16


Në qoftë se kryerësi i kundërvajtjes në afat prej dy vjetësh nga vuajtja e dënimit të fundit nuk kryen kundërvajtje disiplinore të re, do të konsiderohet sikur nuk ka qenë fare i dënuar. Përjashtime nga paragrafi paraprak bëjnë diskualifikimi i përjetshëm dhe përjashtimi nga klubi.


Neni 17


Askush nuk mund të dënohet pa u marrë në pyetje apo pa dhënë deklaratë me shkrim. Nëse kryerësi i kundërvajtjes disiplinore nuk i përgjigjet seancës së marrjes në pyetje, ose nuk jep deklaratë me shkrim pas dy ftesave të organit kompetent, vendimi për dënim mund të bëhet në bazë të argumenteve të mbledhura.


Neni 18


Procedura disiplinore konsiderohet me prioritet dhe duhet të përfundojë më së voni në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes të fletëparaqitjes.


Neni 19


Përshkrimi për kundërvajtje disiplinore të cilat sipas dispozitave të kësaj rregulloreje ndëshkohen me dënim deri 3 vjet, është 3 muaj nga dita e kundërvajtjes së kryer, ndërsa për kundërvajtjet e rënda (diskualifikimi i përjetshëm, kthimi në rang më të ulët të garave etj), është një vit pas kundërvajtjes së kryer - përshkrimi absolut.


Neni 20


Vendimet e plotfuqishme për dënimet e shqiptuara, evidencohen në librezat e anëtarësisë (lojtarë, punëtorë sportivë etj.), si dhe në evidencën e organit kompetent të FSHeK. Vendimet e plotfuqishme për dënimin e organizatave të shahut, shpallen publikisht dhe evidencohen pranë organit kompetent të FSHeK-së.


Neni 21


Për kundërvajtje disiplinore mund të shqiptohen këto dënime:


-   INDIVIDËVE - LOJTARËVE

I.   Vërejtja,

II.   Qortimi,

III.   Ndalesa për të luajtur dhe ushtruar funksionin

           (lojtarët ,gjyqtarët dhe punëtorët sportivë të shahut),

IV.   Përjashtim nga organizata e shahut,

V.   Diskualifikimi i përjetshëm nga sporti i shahut,

VI.   Dënim me të holla personave të punësuar në organizatat e shahut.


B. ORGANIZATAVE TË SHAHUT DHE KLUBEVE TË SHAHUT:


1.   Vërejtja,

2.   Qortimi,

3.   Dënimi me të holla,

4.   Ndalesa e lojës në numër të caktuar të ndeshjeve kampionale, të Kupës apo  

           ndeshjeve kombëtare,

5.   Ndalesë e lojës për kohë të caktuar në vend dhe jashtë vendit,

6.   Dënim me marrjen e pikëve prej 1 - deri në 4 pikë,

7.   Kthimi në rang më të ulët të garave,

8.   Përjashtim nga organizata e shahut,

9.   Ndalim i ushtrimit të punëve në organet përkatëse të garave.


Neni 22


Dënimi me të holla mund t'iu shqiptohet personave që ushtrojnë profesionalisht detyra në shah dhe organizata të shahut, ai nuk mund të jetë më i vogël se 50 € e as më i madh se 200 €, ndërsa për persona të cilët janë në marrëdhënie pune me organizatën e shahut 15% nga të ardhurat personale në maksimumin e periudhës kohore prej 6 muajsh. Në vendimin mbi dënimin përcaktohet afati dhe mënyra e pagesës së dënimit me të holla, i cili nuk mund të jetë më i shkurtër se 15 ditë e as më i gjatë se 30 ditë për organizatat dhe klubet e shahut, ndërsa për persona në marrëdhënie pune 6 muaj. Dënimi me të holla mund të shqiptohet si dënim kryesor i parë dhe si dënim plotësues i dorës së dytë.


Neni 23


Mjetet nga dënimet me të holla paguhen në favor të avancimit - përparimit të shahut të juniorëve .


Neni 24


Klubi apo organizata e shahut, dënimet me të holla i paguajnë në xhirollogaritë rrjedhëse të FSHeK-së.


Neni 25


Afati për kryerjen e dënimeve nuk mund të jetë më i shkurtër se 3 muaj dhe më i gjatë se një vit, me cilin rast dënimi nuk do të ekzekutohet në qoftë se gjatë kësaj periudhe i dënuari nuk do të bëjë asnjë kundërvajtje disiplinore.


Neni 26


Dënimi me kusht do të fuqizohet nëse i dënuari me kusht në afatin për të cilin është shtyrë ekzekutimi i dënimit ka bërë çfarëdo kundërvajtjeje disiplinore.


KUSHTET PËR SHQIPTIMIN E DËNIMIT


Neni 27


Me rastin e shqiptimit të dënimit, organi i disiplinor duhet të ketë parasysh kushtet e parapara me Nenin 14 të kësaj rregulloreje.


Neni 28


Pjesëmarrësi i kundërvajtjes disiplinore, i cili ka qenë i dënuar së paku dy herë dhe i cili tregon afinitet për përsëritjen e kundërvajtjeve disiplinore, mund të dënohet më ashpër nga organi disiplinor, por jo më ashpër se që është paraparë me Nenin 12 të kësaj rregulloreje.


Neni 29


Veçanërisht si raste të rënda të kundërvajtjeve disiplinore për të cilat organet disiplinore mund t'i shqiptojnë kundërvajtësit dënimin më të rëndë, konsiderohen

ato kundërvajtje, gjatë kryerjes së të cilave kundërvajtësi ka vepruar me vendosmëri, këmbëngulësi dhe pa arsye të veçantë, apo kur kundërvajtja disiplinore ka shkaktuar pasoja veçanërisht të rënda, apo është kryer nën rrethana veçanërisht të rënda.


Neni 30


Për të gjitha kundërvajtjet disiplinore të shkaktuara nga punëtorët sportivë të shahut, si përfaqësues të klubeve dhe organizatave të shahut, mund të ndëshkohen vetë klubet dhe organizatat e shahut.


PJESA E VEÇANTË

KUNDËRVAJTJET E ORGANIZATAVE - KLUBEVE TË SHAHUT


Neni 31


Klubi i cili pa arsye nuk paraqitet në ndeshjen e garave të përhershme, ose në garat në të cilat është i obliguar të paraqitet, do të dënohet me marrjen e prej 2 deri 4 pikëve  dhe dënimi me të holla në shumë prej  100 €. Ekipi i cili pa arsye tërhiqet nga garat do të dënohet me ndalesë që të paraqitet në gara më së paku një vit.


Neni 32


Klubi i cili nuk i përmbush obligimet e tij ndaj përfaqësueses së Kosovës (reprezentacioneve) ose e vështirëson përmbushjen e tyre, do të dënohet me marrjen e

4 pikëve dhe dënim më të holla në shumë prej 200 €. Tentimi do të ndëshkohet.


Neni 33


Klubi, organizata ose organi i cili jep ose verifikon të dhëna të pavërteta, do të ndëshkohet me dënim me të holla në shumë prej 300 €. Personi përgjegjës në klub, organizata ose organe të shahut për kundërvajtjen e paragrafit paraprak, do të dënohet me ndalesën e të ushtruarit të të gjitha funksioneve në shah prej 6 muajve deri në 1 (një) vit. Tentimi do të ndëshkohet.


Neni 34


Klubi, organizata apo organi kompetent i shahut i cili nuk i përmbush obligimet e parapara ndaj FSHeK dhe subjekteve të tjera të shahut, do të dënohet me marrjen e 4 pikëve, ndërsa në rastet më të rënda dhe të përsëritura mund të dënohet me kthim në rang më të ulët të garave. Personi përgjegjës në klub apo në organizatë të shahut, do të dënohet me ndalesë të  ushtrimit të funksionit në sportin e shahut prej 1 (një) deri në 3 (tre) vjet.


Neni 35


Klubi i cili gjatë një gare i humb dy ndeshje me rezultat zyrtar, automatikisht përjashtohet nga garat dhe dënohet me një vit  ose 6 muaj mos loje në të gjitha garat.


Neni 36


Klubi i cili paraqitet jashtë vendit (Kosovës) për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe ndeshjeve të tjera pa lejen e organit kompetent dhe i cili nuk i përmbahet rregulloreve ndërkombëtare të FIDE dhe ECU, do të dënohet me ndalesën e paraqitjes jashtë Kosovës në kohëzgjatje deri një vit, si dhe dënimi me të holla në shumë

prej 500 €.





Neni 37


Klubi, lojtarët apo funksionarët e të cilit me qëndrime dhe sjelljet e tyre jashtë vendit, i shkaktojnë dëme autoritetit të vendit (Kosovës), autoritetit të organizatës së shahut, dhe autoritetit të FSHeK , do të dënohet me ndalesë të paraqitjes jashtë vendit në kohëzgjatje deri një vit. Për rastet tejet të rënda klubi do të dënohet me kthim në rang më të ulët të garave.


Neni 38


Klubi i cili e ushtron veprimtarinë e vet në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës së vendit, dispozitat e Statutit të FSHeK, dispozitat e Rregulloreve mbi organizimin e garave, dispozitat e Propozicioneve të garave, varësisht nga pesha e kundërvajtjes, do  me kthim në rang më të ulët të garave ose me përjashtim nga organizata e Shahut.

Personi përgjegjës për kundërvajtje nga paragrafi paraprak do të dënohet me ndalimin e të ushtruari të  gjitha funksioneve në sportin e shahut, në kohëzgjatje prej 1 (një) deri në 3 (tre) vjet.


Neni 39


Klubet të cilat më herët kanë arritur marrëveshje për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve në dobi të njërit apo tjetrit klub, do të dënohen me marrjen e së paku 4 pikëve dhe dënim me të holla në shumë prej 500 €.

Për rastet e rënda dhe të përsëritura, klubet do të dënohen me kthim në rang më të ulët të garave. Ndërsa personat përgjegjës që kanë mundur të dinë, do të dënohen me ndalimin e të ushtruarit të  gjitha funksioneve në sportin e shahut, në kohëzgjatje së paku dy vjet.

Tentimi i kurdisjes së rezultatit të ndeshjeve do të ndëshkohet.


KUNDËRVAJTJET E INDIVIDËVE


Neni 40


Lojtari i cili pa arsye nuk paraqitet në ndeshje për të cilën është caktuar nga klubi, do të dënohet me ndalesë loje në kohëzgjatje deri në 6 muaj. Tentimi do të ndëshkohet.


Neni 41


Lojtari, funksionari apo personi përgjegjës në klub, i cili i bind lojtarët e tjerë që për shkaqe të ndryshme ta pengojnë zhvillimin normal të ndeshjes, dënohet:

funksionari ose personi tjetër përgjegjës, me ndalesë të  ushtrimit të të gjitha funksioneve në kohëzgjatje më së paku prej 6 muaj deri në një 1 vit.

Tentimi do të ndëshkohet.


Neni 42


Nëse lojtari, gjyqtari apo personi përgjegjës i shahut është shkaktar i ndërprerjes së ndeshjes së shahut apo turnirit të shahut , do të dënohet me ndalesë loje ose ndalesë ushtrimi në funksionit prej 6 muaj deri në 2 vjet. Tentimi do të ndëshkohet.


Neni 43


Lojtari i cili tenton, ose fizikisht e sulmon lojtarin kundërshtar, gjyqtarët, personat zyrtarë apo spektatorët gjatë zhvillimit të ndeshjes së shahut ose pas përfundimit të saj, në sallë apo në kompleksin ku ndodhët salla , do të dënohet me ndalesë loje në kohëzgjatje prej së paku 6 muaj deri në 2 vjet. Në raste të rënda edhe me përjashtim të përjetshëm nga sporti i shahut. Dispozitat e paragrafëve paraprakë do të aplikohen edhe për të gjithë personat zyrtarë të lojës të cilët tentojnë ose shkaktojnë kundërvajtjen disiplinore për çka do të dënohen me ndalesë të ushtrimit të të gjitha funksioneve në sportin e shahut së paku dy vjet e në raste të rënda edhe me përjashtim nga organizata e shahut.


Neni 44


Lojtari i cili e shfrytëzon dokumentacionin e falsifikuar, i cili paraqitet me emër të rrejshëm ose i cili me rastin e regjistrimit jep shënime të rrejshme, përkatësisht paraqitet në ekip para se të fitojë të drejtën e lojës, apo në çfarëdo mënyre bie në lajthitje ekipin ose organin e garave, do të dënohet me ndalesë loje prej 6 muajve deri në 1 vit.

Nëse kundërvajtjen nga paragrafi 1 i këtij neni e kryen punëtori sportiv i shahut, do të dënohet me ndalim të ushtrimit të të gjitha funksioneve në shah, së paku 2 vjet, ndërsa në rastet e rënda me diskualifikim të përjetshëm.


Neni 45


Nëse lojtari paraqitet për ekipin tjetër pa lejen e klubit të tij për të cilin është i regjistruar do të dënohet me ndalesë loje deri në një vit.


Neni 46


Lojtari i cili pa arsye nuk paraqitet në ndeshjet e reprezentacionit ose nuk i bashkëngjitet përgatitjeve të reprezentacionit, do të dënohet me ndalesë loje prej 6 muajve deri në dy vjet.

Tentimi do të ndëshkohet.


Neni 47


Lojtari, gjyqtari  apo punëtori i shahut, të cilin organi përkatës e fton për ta marrë në pyetje ose prej të cilit kërkon deklaratë me shkrim e i cili pa arsye nuk i përgjigjet ftesës apo nuk e dërgon deklaratën e kërkuar ose atë e dërgon pas afatit të paraparë, do të dënohet me vërejtje, qortim ose ndalesë loje, përkatësisht ndalesë të ushtrimit të funksionit prej 2 muajve deri në një vit.


Neni 48


Kush sillet në mënyrë josportive (ofendon, fyen, shan, etj.), ndaj lojtarëve, gjyqtarëve, punëtorëve sportivë të shahut, funksionarëve, udhëheqësve të organeve dhe organizatave të shahut, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së shahut do të dënohet me vërejtje, qortim ose ndalesë të lojës, përkatësisht ushtrimit të funksionit në shah deri në një vit.

Nëse lojtarët apo personat e tjerë zyrtarë të klubeve, Federatës, shoqatave të gjyqtarëve dhe shoqatave të tjera të shahut japin deklarata për shtyp dhe opinion të rrejshme, të paargumentuara, të cilat dëmtojnë autoritetin e Federatës do të dënohen me ndalesë ushtrimi të funksioneve në shah prej 1 viti deri në 2 vjet.


Neni 49


Gjyqtari, i cili në kohën e caktuar nuk vjen për zhvillimin e ndeshjes në të cilën është caktuar, ndërkaq mosardhjen nuk e argumenton në afatin e paraparë nuk e lajmëron organin kompetent i cili do të kishte caktuar gjyqtarin tjetër , do të dënohet me ndalesë referimi në kohëzgjatje prej 3 muajve deri në 6 muaj.

Dënimi i paragrafit paraprak i këtij neni do t'i shqiptohet edhe gjyqtarit, i cili është i pranishëm por pa arsye nuk e referon ndeshjen.






Neni 50


Gjyqtari i cili  referon  ndeshjen apo turnirin e ndaluar të shahut nga organi kompetent, apo nuk është i deleguar nga organi gjegjës do të dënohet me ndalesë aktiviteti prej 1 muaji deri në një vit.


Neni 51


Në qoftë se anëtari i organizatës së shahut, kërkon prej anëtarëve të tjerë të organizatës, klubeve apo shoqatave të shahut, dobi materiale për kryerjen e punëve për të cilat është caktuar, ose ato nuk i kryen edhe pse është i obliguar t'i kryejë, do të dënohet me ndalim të të gjitha funksioneve në shah së paku 1 vit, e në rastet e përsëritura dhe posaçërisht të rënda, me diskualifikim të përjetshëm . Nëse kundërvajtjen nga alineja paraprake e ka shkaktuar funksionari apo anëtari i klubit, atëherë klubi do të dënohet me të holla së paku 200 €.


Neni 52


Klubi i cili nuk e zbaton vendimin e plotë fuqishëm dhe të ekzekutueshëm të organit kompetent, do të ndëshkohet me dënim në të holla në shumë deri 200 € .


DISPOZITAT PROCEDURALE

Organet disiplinore:


Neni 53


1.   Kundërvajtjet disiplinore të shkaktuara brenda klubit, i shqiptojnë organet disiplinore të përcaktuara me Statut dhe Rregullore disiplinore të klubit.

2.   Kundërvajtjet disiplinore të shkaktuara në gara apo turnir të shahut , në shkallë të parë i shqyrton komisari i garave, përkatësisht Komisioni i garave

3.   Kundërvajtjet disiplinore të parapara në aktet e FSHeK-së , organet kompetente të përcaktuara me këto akte.

4.   Kundërvajtjet disiplinore, të cilat i kryejnë individët apo organizatat e shahut, lidhur me kryerjen e obligimeve nga kompetencat e FSHeK, komisioni disiplinor i Kryesisë të FSHeK-së në shkallë të parë, ndërsa Kryesia e FSHeK në shkallë të dytë.


Organet disiplinore përbëhen prej 3 vetëve . Vendimet meritore merren me praninë e shumicës së anëtarëve të Komisionit disiplinor.


Të gjitha organet disiplinore janë të obliguara të mbajnë evidencën e dënimeve të plotfuqishme, të cilat i kanë shqiptuar.


I.   Hapja dhe rrjedha e procedurës:


Neni 54


Vendimet, punët dhe veprimet e procedurës disiplinore i ndërmerr dhe i miraton organi kompetent disiplinor.


Neni 55


Kryerësi i kundërvajtjes disiplinore ka të drejtë që me shpenzime të veta të kërkojë nga organi disiplinor pjesëmarrjen në seancat e udhëhequra në të dy shkallët (shkalla I dhe II. ). Organet disiplinore janë të obliguara të aprovojnë kërkesën e tij.






Neni 56


Procedura disiplinore iniciohet në bazë ,

-   fletëparaqitjes të çdo personi, anëtar i organizatës së shahut, i cili e vëren kundërvajtjen disiplinore,

-   fletëparaqitjes së trupave dhe organeve të shahut,

-   fletëparaqitjes së gjyqtarit,

-   fletëparaqitjes së organizatave të shahut,

-   fletëparaqitjes nga ana e sekretarit të FSHeK-

-   fletëparaqitjes së Bordit së FSHeK,

-   sipas detyrës zyrtare, kur organi disiplinor ka dijeni se është kryer kundërvajtja disiplinore.

Të gjitha fletëparaqitjet duhet te jenë te kompletuara dhe të argumentuara mirë.


Neni 57


Organet disiplinore janë të obliguara të kujdesen për kompetencat, afatet, parashkrimet dhe shqiptimet e dënimeve.



Neni 58


Pas marrjes të fletëparaqitjes, organi disiplinor menjëherë e fillon procedura, e më së largu 8 ditë pas marrjes së saj, përkatësisht marrjes në dijeni për kundërvajtjen e shkaktuar.

Kur organi disiplinor e fillon procedurën, ai e fton të pandehurin për dhënien e deklaratës dhe për ta marrë në pyetje.


Neni 59


Procedura disiplinore është urgjente, në shkallë të parë duhet të përfundojë në afat prej 15 ditësh nga dita e inicimit.

Procedura disiplinore në shkallë të dytë duhet të përfundojë në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes së ankesës.

Organi disiplinor i shkallës së parë është i obliguar që në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së ankesës, ta kompletojë lëndën e procedurës së shkallës së parë dhe atë t'ia përcjellë organit disiplinor të shkallës së dytë në kompetencë të mëtejme.


Neni 60


Në rastet kur nuk veprohet sipas afateve të parapara,  kryetari dhe anëtarët e organit disiplinor do të përgjigjen për shkelje të bëra, të parapara me nenin __________ të kësaj rregulloreje.


SUSPENDIMI:


Neni 61


Në qoftë se organi disiplinor vërteton se nuk ka vend për hapjen e procedurës disiplinore, me vendim e refuzon fletëparaqitjen e ushtruar. Në qoftë se procedura disiplinore është e hapur, ndërkohë paraqiten fakte të cilat tregojnë se nuk ka vend për procedurë, organi disiplinor e pezullon atë.

Ndaj këtyre vendimeve të organeve disiplinore, ushtruesi i fletëparaqitjes ka të drejtë ankese komisionit të shkallës së dytë.


Neni 62


Në qoftë se gjatë procedurës disiplinore janë shkaktuar shpenzime, atëherë organi i cili ka udhëhequr procedurën, do të vendosë për subjektet e përmbushjes së tyre. Shpenzimet e shkaktuara nga ana e klubit apo anëtarit të klubit të cilit i shqiptohet dënimi, bien në barrën e buxhetit të klubit.

Në qoftë se klubi apo anëtari i klubit, ndaj të cilit është hapur procedura, lirohet nga përgjegjësia, shpenzimet bien në barrën e buxhetit të organit i cili e ka udhëhequr procedurën.


Neni 63


Organi disiplinor mund të marrë vendim për suspendimin e individit apo organizatës së shahut, në raste kur është paraparë dënimi kohor ose dënimi më i rëndë, varësisht nga pesha dhe kushtet e kryerjes së kundërvajtjes disiplinore. Vendimi mbi suspendimin shpallet në buletinin zyrtar ose përpilohet në formë të shkruar dhe i përcillet të suspenduarit.


Neni 64


Koha e suspendimit llogaritet në dënim.


Neni 65


Deri në përfundimin e procedurës disiplinore, suspendimi mund të zgjasë më së shumti 3 muaj. Organi i shkallës së parë është i autorizuar ta ndërpresë suspendimin para përfundimit të procedurës, në qoftë se kanë pushuar arsyet e caktimit të tij.

Organi i shkallës së dytë në procedurën sipas ankesës, mund ta ndërpresë suspendimin më herët.



SHQIPTIMI I DËNIMEVE


Neni 66


Për marrjen e vendimeve të plotfuqishme të kundërvajtjeve disiplinore, është e obliguar që në mbledhjet e organeve kompetente disiplinore të marrin pjesë shumica e anëtarëve të organeve gjegjëse. Vendimet merren me shumicë votash të anëtarëve të  pranishëm të organeve të cilat u udhëheqin procedurën. Në rast të votimit të barabartë të anëtarëve të pranishëm, vendos vota e kryetarit të organit kompetent (kryetarit të Komisionit të garave etj).


Neni 67


Kundërvajtjet disiplinore dhe suspendimet, të cilat i shqiptojnë organet kompetente disiplinore lidhur me shkeljen e dispozitave të garave, publikohen në buletinin zyrtar të organeve të garave.

Në të gjitha rastet e tjera përpilohen vendimet mbi dënimet.


Neni 68


Vendimet e organeve disiplinore, palëve iu dorëzohen personalisht apo me letra postare rekomande. Kur vendimi për dënim publikohet në buletinin zyrtar të

organeve të garave, organi i disiplinor është i obliguar që dorëzimin e tij t'iu bëjë të gjithë të dënuarve personalisht apo me letër rekomande postare.


Neni 69


Nga një kopje të vendimit mbi dënimet e shqiptuara për persona fizikë, organi disiplinor është i obliguar t'ia dorëzojë njëkohësisht organizatës së shahut apo klubit, anëtar i së cilës është personi i ndëshkuar. Në qoftë se organi disiplinor nuk e ka adresën e saktë të personit fizik, dorëzimi i vendimit mund të bëhet përmes ekipit, përkatësisht organizatës së shahut, anëtar i së cilës është personi. Në rast të refuzimit të marrjes të vendimit, konsiderohet se është bërë dorëzimi. Refuzimi mbi marrjen e vendimit duhet të argumentohet.


MJETET JURIDIKE:


Neni 70


Kundër vendimit të organit të shkallës së parë, mund të paraqitet ankesa në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së tij. Ankesa nuk e shtyn ekzekutimin e dënimit. Ankesa i paraqitet organit të shkallës së dytë përmes organit disiplinor të shkallës së parë, me dorëzim personal apo me anë të postës në mënyrë rekomande. Afat i dorëzimit të ankesës merret koha kur personalisht i është dorëzuar organit të shkallës së parë, ose koha kur është dorëzuar në postë në letër rekomande (data me vulë postare).


Neni 71


Kundër vendimit për suspendim mund t'i paraqitet ankesë organit të shkallës së dytë, sikurse është paraparë në nenin _________ të kësaj rregulloreje, në afat prej 3 ditësh, nga dita e marrjes së vendimit mbi suspendim. Ankesa nuk e shtyn ekzekutimin e vendimit për suspendim.


A.   Procedura sipas ankesës


Neni 72


Pas marrjes së ankesës, organi i shkallës së parë është i obliguar që në afatin prej 8 ditësh, atë ta kompletojë me të gjitha shkresat e parashtruara dhe së bashku me mendimin e vet, t'ia përcjellë organit të shkallës së dytë në kompetencë të mëtejme. Procedura e shkallës së dytë duhet të përfundojë në afat prej 30 ditësh prej ditës marrjes së ankesës.


Neni 73


Organi i shkallës së dytë, duke vendosur sipas ankesës mund:

-   ankesën ta hedhë si të ushtruar pas afatit të paraparë, apo nga personi i paautorizuar,

-   ankesën ta refuzojë dhe vendimin e organit të shkallës së parë ta vërtetojë,

-   ankesën ta aprovojë dhe lëndën t'ia kthejë organit të shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje, dhe

-   ankesën ta aprovojë, ndërsa vendimin e organit të shkallës së parë ta ndryshojë.


Neni 74


Nëse ankesa është ushtruar vetëm në dobi të të dënuarit, në procedurën e mëtejme kundër tij nuk mund të shqiptohet dënimi më i rëndë.


Neni 75


Vendimi i shkallës së dytë është përfundimtar.


LEHTËSIMI I JASHTËZAKONSHËM I DËNIMIT


Neni 76


Kur ekzistojnë prova të pakontestueshme se dënimi i shqiptuar, i cili është i ekzekutuar, e ka arritur qëllimin e vet në të gjitha aspektet e parapara edukativo-sportive, Bordi i  FSHeK-së dhe kryetari i Kryesisë në raste të caktuara,

në jubiletë dhe festat shtetërore mund të lehtësojnë dënimet. Po ashtu lehtësimin e dënimit mund ta bëjë edhe Kuvendi i FSHeK-së nëse më parë Kryesia e FSHeK-së ka refuzuar kërkesën për lehtësim të të ndëshkuarit. Lutjen si në rastin e parë edhe në rastin e dytë për uljen e jashtëzakonshme të dënimit, mund ta dorëzojë personi i dënuar, organizata e shahut apo klubi, anëtar i të cilit është i dënuari, dhe këtë së paku 8 ditë para seancës së caktuar të Kuvendit gjegjës.


DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT


Neni 77


Procedura disiplinore para hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, do të përfundojë sipas dispozitave të rregullores paraprake, në qoftë se ato janë më të favorshme për kryesinë e kundërvajtjes.


Neni 78


Kryesia e FSHeK është e autorizuar të japë interpretime autentike të dispozitave të kësaj rregulloreje.


Neni 79


Në Propozicionet e garave nuk mund të parashihen dënime më të lehta ose më të rënda nga të përcaktuarat me këtë rregullore, si dhe mjetet e jashtëzakonshme juridike dhe kompetencat e organeve për vendosjen e tyre. Nëse me Propozicione janë paraparë masa dhe ndëshkime në kundërshtim me dispozitat e kësaj rregulloreje, do të aplikohen dispozitat e kësaj rregulloreje, përkatësisht dispozitat më të favorshme për palën.


Neni 80

Kjo rregullore është aprovuar në mbledhjen e Kryesisë së FSHeK-së të mbajtur me datë ____________2007. dhe hyn në fuqi 8 ditë pas miratimit (aprovimit) të saj.




Prishtinë,____________________                            KRYETARI I FEDERATËS

                                                                           Bajram Bujupi, mjeshtër i shahut


 
Back to content | Back to main menu